Një operacion i ndërlikuar shpëtimi u krye me sukses në kanionin e Osumit, ku një person kishte mbetur i bllokuar.
Një operacion i ndërlikuar shpëtimi u përfundua me sukses në Kanionin e Osumit, ku një person kishte mbetur i bllokuar në një pjesë të rrezikshme të terrenit. Ndërhyrja zgjati gati gjashtë orë, në kushte të vështira moti, me temperatura të ulëta dhe dukshmëri të kufizuar.
Në operacion morën pjesë Grupi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Shqipërisë, pjesë e Federatës Shqiptare të Alpinizmit, së bashku me ekipet e kërkim-shpëtimit malor të Elbasanit, Tiranës dhe Dibrës. Iu bashkuan edhe strukturat shtetërore: Forcat Speciale RENEA, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Drejtoria Vendore e Policisë Berat.
Një rol vendimtar pati guida e Black Drin Adventure, përvoja, profesionalizmi dhe njohja e thellë e terrenit malor të së cilës ndihmuan drejtpërdrejt në shpëtimin e jetës së personit të bllokuar. Zbritja vertikale prej rreth 120 metrash, në kushte ekstreme, kërkoi aftësi të larta teknike, vendosmëri dhe koordinim të përsosur — cilësi që guidat tanë i treguan me përkushtim dhe përgjegjësi.
Ky operacion është dëshmi e qartë se bashkëpunimi midis institucioneve shtetërore dhe aktorëve privatë të specializuar si Black Drin Adventure është jetik në situata emergjente. Përkushtimi i guidave tanë ndaj sigurisë së njerëzve dhe profesionalizmi i tyre në mjedise ekstreme mbeten vlera themelore të misionit tonë.
Black Drin Adventure falënderon të gjithë punonjësit dhe vullnetarët që morën pjesë në këtë operacion, duke theksuar se solidariteti, guximi dhe profesionalizmi janë forcat që shpëtojnë jetë.